KOMUNIKATË PËR QYTETARËT

Të nderuar qytetar të Republikës se Kosovës !

Duke parë ngjarjet e fundit dhe padrejtësitë e bëra lidhur me kompenzimin e dëmeve të luftës, deri më tani ua kemi tërheq vërejtjen për të mos i besuar Fondit për te Drejtën Humanitare të Republikës së Serbisë, subjekt ky i cili vepron edhe në Kosovë, kinse për tu ofruar ndihmë juridike shqiptarëve në realizimin e procedurave gjyqësore nga ana e organeve të drejtësisë në Serbi, qoftë të natyrës penale, qoftë të natyrës civile për kompensim – zhdëmtim të dëmeve të luftës.

Se kjo është plotësisht e vërtetë, ja tani binduni nga rasti i vendimit te gjykatëses Mirjana Iliq nga Departamenti për Krime Lufte në Beograd sipas publikimit në gazetën e përditshme “Tribuna” në faqen nr.3  në të cilin qartë flitet për bllokimin e lëndës kundër oficerëve Rajko Kozlina dhe Pavle Gavrilovic, lidhur me përgjegjësin individuale të kriminelëve për shkak të vrasjes dhe masakrimit të 27 pleqve, grave dhe fëmijëve në fshatin Tërnje të Suharekës ne vitin 1999, nën arsyetimin se avokatet nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosove nuk janë anëtar të Odës së Avokatëve të Republikës së Serbisë.
Publikimi në gazetën “Tribuna” i dt. 11.08.2014, faqe nr. 3.
 


Tutje, edhe sikur të shqyrtohen kërkesëpaditë nga ana e organeve të Serbisë cilës do natyre qofshin ato, madje edhe sikur të merren vendimet përkatëse gjyqësore, prapë se prapë ato vendime janë jo efektive, jo reale, jo të drejta, jo të ligjshme si dhe të ndikuara politikisht nga strukturat ushtarake të cilat kanë kryer krime në Kosovë, dhe derivat nga konflikti i interesit.

Prandaj, qytetarë të nderuar brenda dhe jashtë vendit, Shoqata Profesionale për Dëme të Luftës “OJQB Ngritja e Zërit” ju informon se, kërkesëpaditë duhet të inicohen mu pranë organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës, e drejtë kjo e cila është paraparë dhe rregulluar paraprakisht me  dispozitat e ligjeve të aplikueshme vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë, meqë krimi është kryer në Kosovë, provat janë në vendin e krimit dhe një numër i dëshmitarëve me stres dhe të traumatizuar nuk e kanë guximin të shkojnë në Serbi dhe t’i shohin policët e uniformuar, madje madje ata nuk guxojnë t’i shohin as policët shqiptar me uniformë blu të shtetit tonë, pasi që aty për aty ju rikthehet momenti i skenës së krimit të kryer.

E drejta e shqyrtimit të kërkesëpadive në organet e drejtësisë se Kosovës është paraparë dhe  me disa konventa ndërkombëtare, më saktësisht  në mënyrë të detajuar e përcakton Konventa Ndërkombëtare mbi Gjenocidin e cila thekson se, kryesit veprimeve gjenocidiale mund ti gjykojnë gjykatat e shtetit në të cilin janë kryer krimet, nga se gjenocidi është kryer në Kosovë organet e drejtësisë kosovare duhet gjykuar kriminelet mu në këtë vend.

Se këndejmi, organet e drejtësisë Kosovare edhe me tutje thirren ne jo kompetencë, duke i hedhur apo duke pezulluar shqyrtimin e kërkesëpadive për kohë të pacaktuar, ndërsa organet e drejtësisë në  Serbi e bllokojnë procesin e shqyrtimit të lëndëve për privimin e çasjes së qytetarëve të Kosovës në drejtësi, pra konsiderojmë përgjegjësia bie dejtpërdrejtë mbi institucionet e Republikës së Kosovës.

Si përfundim, i informojmë viktimat dhe familjarët  më të dashur të fshatit Tërnje të Komunës së Suharekës, si dhe të gjithë qytetarët e RK- së se, në Kosovë ekziston shoqata profesionale për dëme të luftës ”Ngritja e Zërit” me seli në Skenderaj, e cila deri me tani ka hartuar mbi 900 kërkesëpadi individuale pa kompensim në sajë të kauzës kombëtare, për qytetarët nga 12 komuna të Kosovës, lëndë këto të cilat gjenden në shkallë të ndryshme të procedimit deri tek Gjykata Supreme.

Me konstatim se në mungesë të vullnetit politik dhe në mungesë fondi për stafin, shoqata nuk po mundet të dislokohet në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë dhe as të shtrihet në të gjitha komunat, edhe përkundër kontaktit formal disa herë radhazi që nga fillimi i vitit 2009 me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave. Ndryshe, sikurse të ishim përkrahur financiarisht nga institucionet e RK-së me përgjegjësi të plotë morale theksojmë se, deri më tani do të hartoheshin nga stafi profesional i shoqatës tonë  mbi 100.000 kërkesëpadi individuale apo më mirë thënë me qindra mijëra të tilla.

Skenderaj, më 12.08.2014

Në emër të stafit të Shoqatës:
Jahir Bejta