Opinion

Historia jonë, në përgjithësi dhe, lufta e fundit çlirimtare e udhëhequr nga e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe kamandanti legjendar, Adem Jashari, në veçanti, ishte sa e dhimbshme aq edhe krenare.

Është krenare, sepse gjithmonë qe e drejtë dhe çlirimtare. Kurrë askujt nuk i ramë në qafë, por përherë i mbrojtëm trojet tona stërgjyshore nga grykësitë e ndryshëm lakmiqarë, veçan të atyre që erdhën nga stepet karpatiane, nga serbët e pabesë.

Edhe dhimbja qe e madhe, ngase e paguam shtrenjtë e me gjak. Pa u kredhur në histori, vetëm në luftën e fundit 1998/ 99, dhamë mbi 10.000 viktima, mbi 2000 dëshmorë, shumë të zhdukur, shumë të plagosur, shumë invalidë,  shumë të sakatosur e të dhunuar, shumë të dëbuar, shumë të traumatizuar. Sa u pëkëtë dëmeve materiale, mos të flasim fare, humbëm çdo gjë që patëm mbi dhe, madje edhe themelet e shtëpive.

Dhe, e gjithë kjo e keqe erdhi nga një përbindësh i pangopur me emrin Serbi!

Por, a mjaftojnë fjalët për ta dënuar fajtorin që tashmë e njeh mbarë globi ? Jo. Fjalët i merr era, shkrimet mbesin,- thonë latinët e lashtë. Ne, mjerisht, në këtë drejtim, jemi të mangët.

Më shumë jemi të prirë të flasim se sa të lëmë gjurmë në letër, pra të shkruajmë. Që sa kohë ka kaluar ajo zezonë llahtarie e ne ende nuk kemi dosje të kompletuar për gjithë ato humbje! Gjyqet e drejtësisë botërore nuk bëhen duke u bazuar në fjalë.

Ato duan fakte e argumente të shkruara. Kam lexuar diku se një gjykatës i njohur botëror thoshte: “Ma jepni një gjysmë faqeje të shkruar dhe unë, edhe më të pafajshmin do të mundem ta dënoj”.

Sidoqoftë, në mesin tonë kurrë nuk kanë munguar idealistët, që me altruizmin e tyre nositian, u vunë në shërbim të atdhetarizmës. Kështu vepruan edhe juristët drenicas: Jahir Bejta, Kadri Osaj e Bekim Veliqi, të cilët, këto ditë formuan Shoqatën: Organizata Joqevritare Bamirëse “NGRITJA E ZËRIT” në Skënderaj. Siç mësojmë nga Statuti i saj, qëllimi kryesor i saj është t’u dalë në ndihmë të gjithë të dëmtuarëve nga lufta, duke grumbullaur të dhënat e sakta për të gjitha dëmet: njerëzore, ekonomike, materiale, kulturore etj. dhe, pastaj, në emër të tyre të  ngris padi kundër Serbisë dhe ta vejë atë para drejtësisë botërore për ta detyruar që të paguaj dëmshpërblimin.

Mua më pëlqeu kjo nismë e mbarë, andaj edhe e tumira me gjithë zemër. Dhe, mbase për koinçidencë, kjo nismë vjen mu nga vendi ku zuri embrion fara e lirisë, nga Drenica heroike, për të lëshuar rreze në mbarë
Kosovën, gjegjësisht kudo ku  frymohet e ku flitet shqip.

Qytetarë të nderuar të kombit tim të përvuajtur!

Mos hezitoni e mos e humbëni shansin për ta kërkuar atë që u takon. Dhe, këtë mund ta realizoni më së miri e më së lehti, pa paguar asgjë, duke u anëtarësuar në këtë Shoqatë, e cila, së shpejti do t’i shtrijë krahët anë e kënd Kosovës e kudo në Trojet Etnike Shqiptare. E njëjta gjë vlen edhe për Ju bashkatdhatarë, kudo që jeni në mërgatë. Mjafton të hapni vebsajtin e Shoqatës, ku e keni aplikacionin  e specifikuar, të cilin mund ta shkarkoni e ta plotësoni dhe të bëheni anëtar i saj.

Vetëm një gjë nuk kompensohet dot: Jeta e më të dashurve Tuaj, por atë e ka shpaguar LIRIA!

Dhe, fare në fund, nismëtarët e kësaj pune i përgëzojmë me urimin: U vaftë mbarë dhe dalshi faqebardhë!

Galicë, më 9. 11. 2008
Bedri TAHIRI,
shkrimtar, publicist e profesor   në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri